Industria e qumështit në Shqipëri: incident i izoluar apo krizë sistemike?

Si pjesë e një pune kërkimore ku kam zhvilluar një raport ESG për një kompani në Shqipëri, duke analizuar performancën mjedisore, sociale dhe të qeverisjes si edhe risqet përkatëse të sektorit, kam hasur në disa problematika që tejkalojnë kufijtë e një biznesi të vetëm dhe prekin strukturën e gjithë industrisë.
Ditët e fundit, industria e qumështit në Shqipëri është rikthyer në qendër të vëmendjes publike jo si pasojë e një rasti të izoluar, por si reflektim i një problematike të akumuluar ndër vite. Aksioni i fundit i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Fier, ku u bllokuan mijëra kilogramë gjalpë dhe mocarelë të pasigurt, nuk është thjesht një episod kontrolli administrativ, por një tregues i dobësive strukturore që karakterizojnë zinxhirin e furnizimit dhe kontrollin e cilësisë.
Nga analiza e risqeve në kuadër të ESG, del qartë se sfidat e sektorit nuk lidhen vetëm me çështje të përputhshmërisë ligjore, por me rreziqe sistemike:
• fragmentimi i fermave dhe mungesa e standardizimit,
• pasiguria në furnizimin me lëndë të parë,
• presioni i kostove dhe mungesa e kapaciteteve investuese,
• informaliteti dhe konkurrenca nga importet e subvencionuara.
Protestat e fermerëve kanë sinjalizuar prej kohësh se industria nuk përballet vetëm me raste sporadike neglizhence, por me një presion të vazhdueshëm që prek vetë qëndrueshmërinë ekonomike dhe operacionale të sektorit. Kjo ngre një dilemë thelbësore: a kemi të bëjmë me incidente të veçuara që adresohen përmes masave administrative, apo me shfaqje të një krize sistemike që kërkon ristrukturim më të thellë?
Nga perspektiva e analizës ESG, kriza nuk buron vetëm nga niveli i çmimit, por nga mënyra si është ndërtuar modeli i sektorit. Kur cilësia, transparenca në zinxhirin e furnizimit, dhe investimi në standarde varen nga kapacitete të kufizuara financiare dhe organizative, atëherë rreziku bëhet strukturor dhe jo individual.
Në këtë kuadër, dua ta hap këtë si një diskutim kërkimor në komunitetin 1Future:
Nëse duam që produkti vendas të mbijetojë dhe të konkurrojë me importet, a jemi të gatshëm si konsumatorë dhe si treg të mbështesim një model që reflekton koston reale të qëndrueshmërisë? Apo do të vazhdojmë të kërkojmë cilësi të lartë me çmim minimal, duke thelluar presionin mbi sektorin?
Në pritje të mendimeve dhe komenteve tuaja për ta pasuruar këtë diskutim me perspektiva nga biznesi, akademia dhe shoqeria civil apo dhe institucionet publike.

4 Likes

Si kërkuese dhe pedagoge, e shoh këtë diskutim si një pikënisje të vlefshme për ta zhvendosur vëmendjen nga reagimi ndaj rasteve të veçuara, drejt analizës së “mekanizmave që i prodhojnë dhe i riprodhojnë” këto problematika në nivel sektorial. Në termat e studimeve mbi riskun, kur ngjarje të ngjashme shfaqen në mënyrë të përsëritur, ato sinjalizojnë jo vetëm mangësi në zbatim, por “dobësi në arkitekturën e sistemit”: mënyrën si organizohet prodhimi, si qarkullojnë lëndët e para, si verifikohet cilësia dhe si shpërndahen kostot e standardeve.

Për kërkimin shkencor, rasti i industrisë së qumështit është veçanërisht i përshtatshëm sepse mundëson një lexim të integruar të ESG-së si “model vlerësimi i qëndrueshmërisë” dhe jo thjesht si listë treguesish. Pyetja qendrore nuk është vetëm “a respektohen standardet?”, por:
“cilat janë kushtet ekonomike, organizative dhe institucionale që e bëjnë respektimin e standardeve të mundshëm dhe të qëndrueshëm në kohë?”

Në këtë kuadër, për ta thelluar diskutimin si punë kërkimore, propozoj një qasje me dy shtylla:

  1. Shtylla empirike (të dhëna nga terreni): intervista dhe anketa me fermerë, përpunues, tregtarë dhe aktorë rregullatorë; analizë e praktikave të zinxhirit te prodhimit produktit dhe e kostove reale të standardizimit.
  2. Shtylla analitike (modelim i riskut): identifikim i pikave ku risku amplifikohet në zinxhir (kontrata, grumbullim, ruajtje, përpunim, shpërndarje), dhe vlerësim i ndikimit të faktorëve si investimet, incentivat, informaliteti dhe presioni i çmimit.

Për këtë arsye, do të ishte me interes të veçantë që bizneset e sektorit (përpunues, grumbullues, rrjete tregtare, laboratorë privatë) të bëhen pjesë e diskutimit me kontribut konkret:

  1. cilat janë barrierat kryesore për investime në standarde?
  2. si maten dhe menaxhohen risqet në praktikë?
  3. cilat politika ose instrumente tregu do ta bënin më të realizueshme gjurmimin e produktit dhe garantimin e cilësisë?

Nëse ka gatishmëri nga aktorët e industrisë dhe institucionet përkatëse, ky debat mund të shndërrohet në një projekt kërkimor të zgjeruar (studim rasti + krahasim rajonal), me produkt përfundimtar: rekomandime të zbatueshme për qeverisje sektoriale, instrumente mbështetëse për investime dhe mekanizma që rrisin besimin e konsumatorit.

Ftesa ime është që këtë temë ta trajtojmë si një proces bashkëpunues akademi–biznes–institucione, ku secili aktor sjell perspektivën dhe të dhënat e veta, në mënyrë që përfundimet të jenë jo vetëm të argumentuara, por edhe të përdorshme për vendimmarrje.

2 Likes