Kristjana Omeri, studente e Masterit Shkencor në Inxhinieri Mjedisi – profili energjetik, zhvilloi praktikën e saj profesionale pranë EcoDES Consultancy – një kompani konsulence e specializuar në menaxhimin e mbetjeve, eficiencën e energjisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjatë kësaj periudhe, ajo u angazhua në projekte konkrete me ndikim rajonal dhe kombëtar, ku kontribuoi në:
Analizën e sistemit të menaxhimit të mbetjeve në disa bashki, përgatitjen e dokumenteve strategjike dhe të Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) – si në rastin e Bashkisë Roskovec;
Pjesëmarrjen në projekte ndërkufitare për krijimin e shoqatave të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, me vizita studimore në Podgoricë, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, ku mbajti prezantime dhe analizoi modele rajonale të EPR (Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit);
Hartimin e “roadmap”-it për transformimin e tregjeve të rrobave të përdorura në Bashkinë Elbasan, ku u mor me dizajn grafik, analizë të të dhënave nga pyetësorët, dhe krijimin e një video promovuese për projektin;
Kërkimin dhe analizën e tregut për identifikimin e aktorëve ekonomikë në sektorin e ambalazheve, pajisjeve elektrike/elektronike dhe baterive, në funksion të ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm të EPR në Shqipëri;
Ndërgjegjësim dhe edukim mjedisor përmes organizimit të aktiviteteve me të rinjtë në Shkodër dhe hartimit të materialeve informuese mbi ekonominë qarkulluese dhe minimizimin e mbetjeve.
Përmes kësaj praktike, Kristjana forcoi aftësitë e saj në analizë teknike, organizim aktivitetesh, komunikim ndërinstitucional dhe hartim politikash të integruara mjedisore. Eksperienca kontribuoi ndjeshëm në përgatitjen e saj si një inxhiniere mjedisi me profil energjetik, e aftë për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe të qëndrueshme në Shqipëri dhe më gjerë.
#KristjanaOmeri #PraktikaProfesionale #EcoDES #InxhinieriMjedisi #EkonomiQarkulluese #TranzicioniIGjelbër #ZhvillimIQendrueshëm
