Menaxhimi i riskut dhe qëndrueshmëria në skemat e garancisë: Rasti i ADGF

Skemat e garancisë së kredive luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e bizneseve, duke lehtësuar aksesin në financim dhe duke ndarë riskun me institucionet financiare. Megjithatë, këto skema përballen me sfida të vazhdueshme që lidhen me menaxhimin e riskut të kreditit, përqendrimin e portofolit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë në afatgjatë.

Gjatë eksperiencës sime në ADGF, kam vënë re se një nga sfidat kryesore është balancimi midis rolit zhvillues të institucionit (mbështetja e bizneseve) dhe nevojës për të kontrolluar ekspozimin ndaj riskut. Për shembull, rritja e portofolit shpesh shoqërohet me rritje të ekspozimit ndaj sektorëve të caktuar, si dhe me rritje të mundshme të nivelit të riskut të kreditit (p.sh. përmes rritjes së rasteve me vonesa apo pretendime për garanci).

Në këtë kontekst, integrimi i parimeve të qëndrueshmërisë dhe përdorimi i analizës së të dhënave bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për vendimmarrjen strategjike.

Për këtë arsye, do të doja të hapja një diskutim mbi disa çështje kryesore:

  1. Si mund të integrohet më mirë menaxhimi i riskut në strategjinë e një skeme garancie si ADGF, duke ruajtur një balancë midis mbështetjes së bizneseve dhe kontrollit të ekspozimit ndaj riskut?

  2. A mund të ndihmojë përfshirja e kritereve të qëndrueshmërisë (p.sh. mbështetja e sektorëve “green” apo bizneseve me ndikim më të ulët mjedisor) në përmirësimin e cilësisë së portofolit në afatgjatë?

  3. Si mund të menaxhohet në mënyrë më efektive përqendrimi i riskut në portofol (sipas sektorit, rajonit apo madhësisë së biznesit)?

  4. A mund të shërbejë modeli i funksionimit të ADGF si një shembull për institucione të tjera të ngjashme në Shqipëri?

Do të vlerësoja shumë mendimin tuaj mbi këto çështje. @ADGF

3 Likes

Faleminderit Gjordi për sjelljen në vemendje të misionit dhe punës së ADGF dhe gjithashtu për diskutimin e hapur.

Lidhur me cështjet, po vijojmë më poshtë:

  1. Kjo është një nga sfidat kryesore të ADGF-së si çdo skeme garancie. Pavarësisht se ADGF ka një rol zhvillues dhe synon të mbështesin bizneset që kanë vështirësi në aksesin në financim, është shumë e rëndësishme që rritja e portofolit të shoqërohet edhe me kontroll të kujdesshëm të riskut. Në praktikë, kjo balancë arrihet përmes monitorimit të vazhdueshëm të portofolit, vendosjes së limiteve të brendshme të ekspozimit dhe analizës periodike të treguesve kryesorë të riskut.
    Nga ana tjetër, bashkëpunimi i ngushtë me institucionet financiare partnere është shumë i rëndësishëm, pasi ndarja e informacionit dhe monitorimi i përbashkët ndihmojnë në identifikimin më të hershëm të problematikave potenciale.

  2. Ne besojmë se po. Investimet Green, të lidhura me eficiencën e energjisë apo reduktimin e ndikimit mjedisor, shpesh ndihmojnë bizneset edhe në uljen e kostove operative dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare në afatgjatë. Për këtë arsye, mbështetja e sektorëve apo investimeve më të qëndrueshme mund të kontribuojë pozitivisht edhe në cilësinë e portofolit. Patjetër që është e rëndësishme që këto kritere të aplikohen në mënyrë të balancuar dhe gradualisht, duke marrë në konsideratë edhe realitetin e tregut shqiptar dhe nevojat konkrete të bizneseve.

  3. Menaxhimi i përqendrimit të riskut kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe analiza të detajuara të portofolit sipas sektorëve, rajoneve, institucioneve financiare partnere dhe madhësisë së bizneseve.
    Në rastet kur vihet re një ekspozim më i lartë në një sektor apo rajon të caktuar, mund të merren masa për të orientuar më shumë mbështetje drejt segmenteve të tjera, në mënyrë që portofoli të jetë më i diversifikuar.

  4. Mendojmë se eksperienca e ADGF mund të konsiderohet një model pozitiv, sidomos për mënyrën sesi është kombinuar objektivi i zhvillimit me menaxhimin e kujdesshëm të riskut.
    Gjatë viteve, ADGF ka arritur të ndërtojë bashkëpunim të qëndrueshëm me sektorin bankar dhe me partnerë ndërkombëtarë, duke krijuar një mekanizëm që ka ndihmuar shumë biznese të kenë akses më të lehtë në financim.

1 Like