Menaxhimi i risqeve në industrinë tekstile shqiptare: Nga modeli fason drejt zhvillimit të qëndrueshëm

Industria tekstile në Shqipëri ka qenë historikisht një nga sektorët kryesorë të punësimit dhe eksporteve, veçanërisht përmes modelit fason (Cut-Make-Trim), ku kompanitë shqiptare operojnë si nënkontraktorë për marka të huaja. Ky model ka siguruar stabilitet afatshkurtër dhe hyrje valutore për ekonominë, por njëkohësisht ka krijuar varësi të lartë nga porositë e jashtme dhe marzh të ulët fitimi për njësi prodhimi.

Në kushtet e rritjes së kostove, presionit konkurrues ndërkombëtar dhe ndryshimeve në kërkesën globale për produkte më të qëndrueshme, sektori tekstil shqiptar ndodhet në një pikë kthese strategjike. Zgjedhja midis vazhdimit të modelit tradicional fason dhe investimit në markë, teknologji dhe qëndrueshmëri përbën një vendimmarrje me impakt të lartë për të ardhmen e industrisë.

Duke analizuar situatën aktuale të industrisë tekstile dhe prodhimit të veshjeve në Shqipëri, lindin disa problematika thelbësore që mund të formulohen përmes pyetjeve të mëposhtme:

1- A e bën varësia nga modeli fason industrinë tekstile shqiptare të brishtë ndaj krizave ekonomike dhe luhatjeve të porosive ndërkombëtare?

2-Si mund të reduktohet varësia nga nënkontraktimi dhe të nxitet zhvillimi i markave vendase me identitet dhe vlerë të shtuar?

3- A përbën mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe emigrimi i të rinjve një risk afatgjatë për vazhdimësinë e industrisë?

4- Si mund të reformohet sistemi i arsimit profesional për të garantuar breza të rinj të specializuar në rrobaqepësi dhe teknologji tekstile?

5- A është sektori i përgatitur për të përballuar rritjen e kostove të energjisë dhe lëndëve të para pa humbur konkurrueshmërinë?

6- Si ndikon konkurrenca nga tregu turk, aziatik dhe markat “fast fashion” në stabilitetin financiar të kompanive shqiptare?

7- A ekziston një sistem efektiv për menaxhimin dhe riciklimin e mbetjeve tekstile në Shqipëri?

8- A duhet të ofrojë shteti stimuj fiskalë për bizneset tekstile që investojnë në qëndrueshmëri dhe ekonomi qarkulluese? Nëse po, çfarë forme duhet të marrin këta stimuj?

9- A është e mundur që industria tekstile shqiptare të kalojë nga një model me marzh të ulët drejt një modeli me vlerë të shtuar përmes “slow fashion” dhe prodhimit të limituar?

2 Likes

Pershendetje Ester. Ne rolin e pedagoges do të të sugjeroja ta fokusosh kërkimin në një pyetje të vetme dhe të matshme : Apërbën investimi në qëndrueshmëri një avantazh financiar për sektorin tekstil në Shqiperëri? Kjo qasje e zhvendos diskutimin nga “qëndrueshmëria si parim etik” te “qëndrueshmëria si vendim investimi”, pra si diçka që lidhet drejtpërdrejt me koston, marzhin, aksesin në treg dhe riskun financiar.

Kërkimin mund ta ndërtosh duke parë, së pari, nëse investimet e gjelbra (p.sh. eficiencë energjetike, panele diellore, makineri më kursim energjie, reduktim/riciklim mbetjesh) sjellin ulje të kostos për njësi dhe përmirësim të marzhit në periudhë afatmesme, duke e trajtuar investimin me logjikë financiare . Së dyti, mund të analizosh nëse firmat që kanë standarde ose certifikime mjedisore arrijnë kontrata më të qëndrueshme, klientë më të mirë ose edhe çmime më të larta, çka përkthehet në stabilitet më të madh të të ardhurave. Së treti, duke qenë se standardet europiane po bëhen gjithnjë e më kërkuese për tekstilin, mund ta shohësh qëndrueshmërinë si instrument për menaxhimin e riskut : pra, investimi sot mund të ulë riskun e humbjes së tregjeve nesër.

Në aspektin metodologjik, kjo mund të testohet thjesht duke krahasuar kompani që kanë bërë investime “green” me kompani që nuk kanë, duke parë tregues financiarë bazë si marzhi i fitimit, rritja e xhiros, kostoja operative (sidomos energjia) dhe stabiliteti i porosive/kontratave. Kështu tema mbetet aktuale, e lidhur me zhvillimet europiane, por mbi të gjitha mbetet dhe brenda fushës së financës: kosto–përfitim, kthim investimi dhe risk. Te uroj suksese në punën tënde kërkimore në të ardhmen.