Menaxhimit të Mbetjeve: Vlerësimi i Sistemit të Mbetjeve Bashkiake në Elbasan dhe Mundësitë për Përmirësim

Në kuadër të BeMed+ Project, në bashkëpunim me partnerin INCA – Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, një nga studentët @Julia do të zhvillojë një kërkim mbi sektorin e Menaxhimit të Mbetjeve: Vlerësimi i Sistemit të Mbetjeve Bashkiake në Elbasan dhe Mundësitë për Përmirësim.

Kjo fushë kërkimi synon të analizojë mënyrën se si Bashkia Elbasan menaxhon aktualisht mbetjet, nga grumbullimi dhe trajtimi, deri te riciklimi dhe asgjësimi, duke identifikuar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme për ta bërë sistemin më efikas dhe më miqësor me mjedisin.

Studentja do të vlerësojë politikat ekzistuese, infrastrukturën, përfshirjen e komunitetit lokal dhe bashkëpunimin me sektorin privat, duke u mbështetur edhe në modelet e ekonomisë rrethore dhe praktikat e mira nga vendet e Bashkimit Europian.

Ftojmë pjesëmarrësit e tjerë të platformës 1FUTURE të ndajnë ide, përvoja apo shembuj praktikë që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, inovacionin në riciklim apo përfshirjen e qytetarëve në mbrojtjen e mjedisit.

1 Like

Ky studim mendoj se eshte i vlefshem per te krijuar nje plan veprimi konkret te menaxhimit te mbetjeve plastike ne territorin e Bashkise Elbasan. Po jap disa ide ne lidhje me modele qe mund te zbatohen ne praktike ne territorin e studimit.

Menaxhimi i mbetjeve – praktika të suksesshme
Ndarja në burim: qytetarët ndajnë mbetjet plastike, organike dhe të tjera që në shtëpi, duke rritur ndjeshëm efikasitetin e riciklimit.
Skemat e depozitimit me kthim (Deposit Return Schemes): përdorur gjerësisht në Gjermani dhe vendet nordike, ku konsumatorët marrin shpërblim për kthimin e shisheve plastike apo qelqi.
Kompostimi komunitar: stacione lokale për mbetjet organike, që reduktojnë volumin e mbetjeve dhe prodhojnë pleh natyral për bujqësinë.

Inovacion në riciklim
Koshat inteligjentë: pajisje me sensorë që optimizojnë mbledhjen e mbetjeve dhe reduktojnë kostot e transportit.
Riciklim kreativ: projekte që transformojnë mbetjet plastike në materiale ndërtimi, mobilje apo produkte të reja.
Sisteme të mbyllura (Closed-loop systems): teknologji që sigurojnë riciklim pa humbje cilësie, duke rikthyer materialin në përdorim.

Përfshirja e qytetarëve
Fushata ndërgjegjësimi: edukimi i publikut mbi ndikimet e mbetjeve plastike dhe rëndësinë e riciklimit, shpesh përmes shkollave dhe mediave.
Nxitje komunitare për riciklim: aktivitete ku qytetarët sjellin mbetje për riciklim dhe marrin shpërblime simbolike.
Platforma digjitale: aplikacione që informojnë qytetarët mbi vendndodhjen e pikave të riciklimit dhe i motivojnë përmes gamifikimit.

Shembuj praktikë ndërkombëtarë
Gjermania: një nga sistemet më të suksesshme të ndarjes në burim dhe skemave të depozitimit.
Francë & BE: projekte pilot për riciklimin e plastikës në produkte të reja, të mbështetura nga fondet e BE-së.

Keto ide mund te integrohen ne planin e menaxhimit te bashkise dhe te vleresohen per efektivitetin e tyre dhe perfitimin ekonomik te zbatimit te tyre, persa kohe jane praktika te mira te zbatuara dhe ne vendet e BE-se.

1 Like

Përshëndetje, ashtu si dhe përmendur nga profesoreshë @PersetaGrabova , në kuadër të BeMed+ Project, në bashkëpunim me partnerin INCA – Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, jam në procesin e zhvillimit të një kërkimi që synon të analizojë mënyrën se si bashkitë përgjatë lumit Shkumbin (zonë ekologjikisht e ndjeshme dhe me rëndësi strategjike për komunitetet lokale) menaxhojnë aktualisht mbetjet, nga grumbullimi dhe trajtimi, deri te riciklimi dhe asgjësimi, duke identifikuar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme për ta bërë sistemin më efikas dhe më miqësor me mjedisin.

Do të vlerësoj politikat ekzistuese, infrastrukturën, përfshirjen e komunitetit lokal dhe bashkëpunimin me sektorin privat, duke u mbështetur në modelet e ekonomisë rrethore dhe praktikat e mira nga vendet e Bashkimit Europian. Kryesisht, fokusi do të jetë te përmirësimi i ndarjes së mbetjeve në burim (në shtëpi, institucione dhe biznese), që mund të reduktojë ndotjen mjedisore, ulë kostot financiare të asgjësimit dhe rrisë të ardhurat nga riciklimi. Bashkitë lokale kanë qenë të hapura për bashkëpunim, duke ndarë të dhëna konkrete dhe duke treguar vullnet të qartë për përmirësim të vazhdueshëm.

Ky kërkim zhvillohet në kuadër të iniciativës mesdhetare BeMed+ (Beyond Plastic Med), e cila adreson ndotjen plastike në lumenj dhe zona bregdetare, duke forcuar kapacitetet lokale dhe zbatimin e masave konkrete në terren.

Mirëpres përvoja dhe komente lidhur me kërkimin.

1 Like

Me perfundimin e studimit dua te paraqes prane jush nje pershkrim te thjeshte te gjetjeve.
Analiza e realizuar në këtë studim mbi sektorin e menaxhimit te mbetjeve nga ana e bashkise Elbasan dhe Librazhd përgjatë lumit Shkumbin, e cila është ndërtuar mbi një qasje të kombinuar cilësore dhe sasiore, me focus ne analizen e Kosto-Përfitim (CBA) jep qarte ndikimin e menaxhimit te mbetjeve jo vetem nga ana institucionale por edhe nga ana sociale. Krahasimi i kryer ka lejuar një vlerësim më të plotë jo vetëm të kostove operative dhe investimeve, por edhe të përfitimeve ekonomike, mjedisore dhe sociale që lidhen me kalimin nga sistemi tradicional drejt një modeli më të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve.
Nga analiza rezulton se sistemi i riciklimit me dy rrjedha paraqet një alternativë ekonomikisht të justifikueshme në afatmesëm dhe afatgjatë. Për Bashkinë Elbasan, megjithëse në vitet e para investimi shoqërohet me një NPV negative për shkak të kostove fillestare, deri në fund të periudhës pesëvjeçare rezulton me një NPV pozitive, çka tregon se përfitimet tejkalojnë kostot. Në mënyrë të ngjashme, për Bashkinë Librazhd, analiza evidenton një NPV pozitive, duke konfirmuar që edhe në këtë rast tranzicioni drejt riciklimit është ekonomikisht i qëndrueshëm. Këto rezultate janë të rëndësishme sepse tregojnë se, edhe kur investimet fillestare janë të konsiderueshme, përfitimet nga ulja e kostove të depozitimit, të ardhurat nga materialet e riciklueshme dhe kursimet mjedisore e bëjnë sistemin më efikas dhe më të favorshëm në kohë.
Një element me shumë vlerë në këtë analizë është fakti që kostot nuk janë parë vetëm në kuptimin financiar, por janë strukturuar sipas pesë blloqeve kryesore: investimet kapitale, operacionet, trajtimi dhe depozitimi, amortizimi dhe administrata. Në të njëjtën kohë, përfitimet janë trajtuar në mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke përfshirë jo vetëm të ardhurat nga shitja e materialeve të riciklueshme, por edhe kursimet nga shmangia e venddepozitimeve, zëvendësimin e materialeve të virgjëra dhe përfitimet mjedisore e sociale, si ulja e CO₂ dhe ndikimi pozitiv në shëndetin publik. Kjo e bën analizën veçanërisht të rëndësishme për debatin mbi Shkumbinin, sepse tregon qartë se menaxhimi i mbetjeve plastike nuk duhet parë vetëm si kosto, por si investim me kthim ekonomik dhe mjedisor.
Në aspektin institucional, analiza evidenton se Elbasani dhe Librazhdi përballen me sfida sistemike, si infrastruktura e kufizuar, organizimi institucional i dobët dhe mungesa e të dhënave të besueshme. Megjithatë, analiza nënvizon se ekziston potencial real për kalim drejt praktikave më të qëndrueshme, sidomos kur ky tranzicion mbështetet nga modele të suksesshme si ai i Beratit, nga investime në ndarjen në burim dhe nga harmonizimi me qasjen e ekonomisë qarkulluese të BE-së. Kjo përforcon idenë se zgjidhja nuk qëndron vetëm te reduktimi i plastikës nga bizneset individuale, por te krijimi i një sistemi funksional lokal, ku bashkitë, sektori HoReCa, prodhuesit dhe komuniteti bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar.
Në përfundim, analiza mbështet fort qëndrimin se kalimi drejt riciklimit dhe ndarjes në burim është jo vetëm i nevojshëm mjedisorisht, por edhe i arsyeshëm ekonomikisht. Rekomandimet kryesore që dalin nga studimi janë shumë të qarta: forcimi i kuadrit ligjor dhe zbatimi i EPR për paketimet, investime në infrastrukturë dhe objekte riciklimi lokale, tarifa kosto-reflektuese, stimuj fiskalë për aktorët që adoptojnë praktika të qëndrueshme, si dhe fushata të qëndrueshme ndërgjegjësimi publik.

Në kontekstin e basenit të lumit Shkumbin, këto gjetje miremenaxhimi i mbetjeve nga ana e bashkive mund të japë një kontribut real në luftën kundër ndotjes, por ky kontribut do të jetë efektiv vetëm nëse mbështetet nga politika publike, infrastrukturë funksionale dhe një qasje e integruar e ekonomisë qarkulluese.