Ne, studentët e vitit të parë të programit Master në Menaxhimin e Riskut, kemi hartuar një plan kontingjence për qytetin e Tiranës me synimin për të zbatuar në praktikë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë formimit tonë akademik. Ky projekt ka për qëllim forcimin e kompetencave praktike në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe reduktimit të riskut nga fatkeqësitë, duke na ofruar mundësinë të lidhim bazën teorike me zbatimin konkret. Përmes këtij procesi ndërtuam një plan të strukturuar dhe funksional për qytetin e Tiranës, i cili pasqyron parimet themelore të planifikimit të kontingjencës, organizimit të reagimit institucional dhe koordinimit mes palëve përgjegjëse në rast të situatave emergjente.
Puna u zhvillua në grup, ku secili prej nesh kontribuoi në analiza, kërkim, mbledhje të të dhënave dhe hartimin e pjesëve të ndryshme të planit. Bashkëpunimi na mundësoi të shqyrtonim problematikën nga këndvështrime te ndryshme, të diskutonim alternativat më të përshtatshme dhe të ndërtonim një dokument sa më realist, praktik dhe të argumentuar. Gjatë këtij procesi u njohëm më mirë me metodologjinë e planifikimit të kontingjencës, me rëndësinë e analizës së riskut, si edhe me rolin që kanë institucionet përgjegjëse në koordinimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Hartimi i këtij plani përfaqësoi një përvojë të vlefshme për të gjithë ne studentët pjesëmarrës, pasi na dha mundësinë të kuptonim se pergatitja për emergjencat nuk kufizohet vetëm në analizimin e rreziqeve, por kërkon planifikim të detajuar, bashkëpunim ndërinstitucional, menaxhim të burimeve dhe marrje vendimesh të bazuara në skenarë realë. Gjithashtu, ky ushtrim na ndihmoi të zhvillonim aftësi në punën në grup, në analizën kritike të informacionit dhe në përgatitjen e dokumenteve që ndjekin standardet e planifikimit në fushën e mbrojtjes civile.
Në vijim të këtij komenti, disa nga anëtaret e grupit do të paraqesin një pjesë të procesit të hartimit të planit, duke ndarë përvojën, metodologjinë e ndjekur ,arritjet dhe sfidat e hasura gjatë punës.