Risku dhe qëndrueshmëria në zinxhirin bujqësor

Sektori i agrobiznesit ka një rol kyç në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe eksportet në Shqipëri. Megjithatë, ky sektor po përballet me sfida gjithnjë e më komplekse që lidhen me presionin mjedisor, ndryshimet klimatike, kërkesat e tregut etj.

Shumë biznese të vogla dhe të mesme funksionojnë mbi baza praktike dhe tradicionale, pa politika të formalizuara të qëndrueshmërisë dhe pa sisteme të matshme për identifikimin dhe vlerësimin e risqeve. Kjo i bën ato më të cenueshme ndaj risqeve mjedisore, sociale, financiare dhe operacionale, duke kufizuar potencialin e tyre për zhvillim të qëndrueshëm.

Rasti i studimit të projektit tonë fokusohet në një agrobiznes të integruar vertikalisht, i cili kombinon në të njëjtin zinxhir vlerash: tregtimin e inputeve bujqësore (plehra kimike dhe pesticide), prodhimin bujqësor (kultivimin e agrumeve), përpunimin, magazinimin dhe eksportin e produkteve bujqësore.

Ky model i integrimit vertikal i jep biznesit avantazhe konkurruese, si kontroll më i madh mbi cilësinë e produkteve dhe zinxhirin e furnizimit, diversifikim të aktivitetit dhe fleksibilitet operacional. Megjithatë, integrimi vertikal rrit gjithashtu kompleksitetin e aktivitetit dhe ekspozimin ndaj risqeve të shumta.

Ngremë për diskutim disa pyetje:

  1. Si mund të integrohet menaxhimi i riskut në strategjinë e një agrobiznesi?
  2. Cilat masa konkrete mund të zbatohen për përmirësimin e menaxhimit të inputeve bujqësore dhe mbetjeve, pa rritur ndjeshëm kostot operative?
  3. Në çfarë mënyrash mund të integrohen praktikat e ekonomisë qarkulluese (ripërdorimi, riciklimi, optimizimi i burimeve) në aktivitetin e një agrobiznesi?
  4. Si mund të përfshihen punonjësit, fermerët dhe partnerët tregtarë në zbatimin e praktikave të qëndrueshme?
  5. Çfarë roli mund të luajnë institucionet publike dhe politikat mbështetëse në nxitjen e qëndrueshmërisë në agrobiznes?
  6. A mund të shërbejë ky model i menaxhimit të riskut dhe qëndrueshmërisë si shembull për agrobiznese të tjera në Shqipëri?
4 Likes

Menaxhimi i riskut në një agrobiznes mund të bëhet pjesë e strategjisë nëse lidhet me punët e përditshme të biznesit dhe jo shihet si diçka e ndarë. Për shembull, përveç objektivave për prodhim dhe shitje, biznesi mund të vendosë edhe qëllime të thjeshta si ruajtja më e sigurt e pesticideve, menaxhimi i mbetjeve, siguria e punonjësve dhe kursimi i ujit e energjisë. Këto janë masa praktike që ulin problemet mjedisore dhe operacionale dhe nuk kërkojnë investime të mëdha, por më shumë organizim.

Edhe praktikat e ekonomisë qarkulluese mund të zbatohen lehtë në agrobiznes, pa kosto të larta. P.sh., ambalazhet e pesticideve mund të mblidhen vec dhe të dorëzohen për trajtim, materialet e transportit mund të ripërdoren dhe mbetjet organike nga prodhimi mund të rikthehen në tokë. Këto veprime duken të thjeshta, por ndihmojnë në uljen e mbetjeve, mbrojtjen e mjedisit dhe edhe në uljen e kostove. Pra, qëndrueshmëria nuk është domosdoshmërisht shpenzim i madh, por më shumë mënyrë më e mirë organizimi e punës.

2 Likes

Kemi hartuar këtë dokument si një angazhim konkret të kompanisë FITO FARM për të përkrahur dhe integruar parimet e qëndrueshmërisë në aktivitetin e saj të ardhshëm.
Ky dokument përfaqëson një analizë të situatës aktuale të kompanisë në aspektin mjedisor, social dhe financiar, si dhe identifikon risqet kryesore që lidhen me aktivitetin e saj në sektorin e agrobiznesit. Në të njëjtën kohë, ai paraqet objektiva strategjikë dhe masa konkrete për përmirësimin e menaxhimit të burimeve, rritjen e sigurisë në punë dhe integrimin e praktikave të ekonomisë qarkulluese.
Qëllimi i këtij plani është të ndihmojë kompaninë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, duke reduktuar risqet mjedisore dhe ligjore, duke forcuar reputacionin në treg dhe duke rritur stabilitetin financiar afatgjatë. Përmes këtij angazhimi, FITO FARM synon të ndërtojë një model biznesi më të përgjegjshëm, më efikas dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.
Drejtim risku.pdf (997.4 KB)

3 Likes