Zhvillimi i qëndrueshëm në institucionet publike

Zhvillimi i qëndrueshëm ka marrë një rol gjithmonë dhe më të rëndësishëm në hartimin e politikave publike dhe strategjive institucionale. Zhvillimi i qëndrueshëm synon të garantojë një ekuilibër ndërmjet përdorimit racional të burimeve, mbrojtjes së mjedisit dhe përmbushjes së nevojave sociale, duke reduktuar risqet afatgjata që mund të cënojnë stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve.
Gjatë punës sime kërkimore, për detyrën në lëndën e Drejtimit të Riskut më dolën disa dilema, por do të veçoja dy pyetje kryesore.

  1. Cili dëmton më shumë një institucion publik: mungesa e fondeve apo mungesa e kulturës së riskut?
  2. A është dixhitalizimi zgjidhje reale për uljen e riskut apo thjesht një transferim i problemit nga letra tek teknologjia?
    @PersetaGrabova @Ersa @Alesia.1 @AlesiaHaxhiu11
5 Likes

Në këndvështrimin e menaxhimit të riskut, mungesa e fondeve dhe mungesa e kulturës së riskut ndikojnë në mënyra të ndryshme. Mungesa e fondeve krijon kufizime të menjëhershme operacionale, ndërsa mungesa e kulturës së riskut ka pasoja strukturore dhe afatgjata. Një insititucion që nuk identifikon dhe menaxhon risqet në mënyrë sistematike, vështirëson planifikimin dhe përdorimin eficient të burimeve, duke përkeqësuar edhe situatën financiare.
Sa i përket dixhitalizimit, mendoj se nuk duhet parë si zgjidhje në vetvete për uljen e riskut, por si mjet mbështetës.

1 Like

Në institucionet publike, mungesa e fondeve përbën një sfidë të rëndësishme, por mungesa e një kulture të menaxhimit të riskut ka ndikim më afatgjatë dhe strategjik. Pa një qasje sistematike ndaj identifikimit dhe parandalimit të risqeve, burimet publike nuk përdoren në mënyrë eficente, duke rritur në këtë mënyr edhe risqet financiare.
Nga ana tjetër, dixhitalizimi nuk duhet konsideruar si një zgjidhje automatike për uljen e riskut. Ai mund të kontribuojë në uljen e riskut dhe rritjen e transparencës vetëm nëse shoqërohet me strategji të qarta dhe kapacitete institucionale të përshtatshme, përndryshe, rrezikon të mbetet vetëm një transformim formal.

1 Like

@Armela Në rolin e kërkueses dhe pedagoges udhëheqëse, më pëlqen që e keni vendosur zhvillimin e qëndrueshëm në lidhje direkte me drejtimin e riskut: në praktikë, qëndrueshmëria është pikërisht aftësia e institucioneve për të parashikuar, përballuar dhe menaxhuar risqet në kohë.

Për dy dilemat tuaja:

Çfarë dëmton më shumë: mungesa e fondeve apo mungesa e kulturës së riskut?*

Në perspektivë institucionale, mungesa e fondeve është kufizim i dukshëm, por mungesa e kulturës së riskut është kufizim “i padukshëm” që e bën edhe fondin ekzistues të përdoret në mënyrë joefektive. Kur një institucion nuk ka kultura dhe procese për identifikim, vlerësim dhe monitorim të risqeve, atëherë rritet probabiliteti i gabimeve, vonesave, vendimmarrjes reaktive dhe kostove të papritura, që në fund e përkeqësojnë edhe vetë problemin financiar.

A është dixhitalizimi zgjidhje reale apo transferim i problemit?

Dixhitalizimi ul risk vetëm kur shoqërohet me ridizenjim procesesh, standarde të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe kontrolle të brendshme. Përndryshe, ndodh “transferimi”: një proces i dobët mbetet i dobët, vetëm se tani është i automatizuar. Pra, teknologjia nuk e zëvendëson qeverisjen dhe kulturën e riskut; ajo i përforcon ato kur janë të ndërtuara mirë.

Në këtë kuadër , propozoj të zhvillosh një temë kërkimi për punim shkencor me titull*

Ndikimi i kulturës së riskut dhe digjitalizimit në qëndrueshmërinë e institucioneve publike: a e ulin risqet apo i ri-formatizojnë ato?”*

Qëllimi: të vlerësohet nëse (dhe në çfarë kushtesh) kultura e riskut dhe digjitalizimi përmirësojnë performancën institucionale dhe reduktojnë risqet operacionale, financiare dhe të integritetit.

Pyetje kërkimore të mundshme:

Si lidhet niveli i kulturës së riskut me efektivitetin e përdorimit të fondeve publike?
A sjell digjitalizimi ulje të matshme të risqeve (p.sh. vonesa, gabime, mungesë transparence), apo krijon risqe të reja (siguri kibernetike, varësi teknologjike, përjashtim digjital)?
Cilat elemente të qeverisjes (kontrollet e brendshme, përgjegjësitë, auditimi, standardet) janë vendimtare që digjitalizimi të jetë realisht zgjidhje?

Metodologji e sugjeruar

Duke qenë se në kontekstin shqiptar shpesh mungojnë databaza të konsoliduara dhe indikatorë të standardizuar, ju sugjeroj që metodologjia të strukturohet në dy nivele:

A) Delphi Study (për prioritetet dhe konsensusin e ekspertëve)*

  • Panel me 10–15 ekspertë (administratë publike, audit i brendshëm, IT publik, akademikë).
    Raundi I:** pyetje të hapura për të identifikuar faktorët kryesorë të riskut, boshllëqet e kulturës së riskut dhe efektet reale të digjitalizimit.
    Raundi II:** vlerësim me shkallë (p.sh. 1–5) i faktorëve të dalë nga raundi i parë, për të matur nivelin e konsensusit dhe për të renditur prioritetet.
    Produkti final: një listë e strukturuar me “faktorë kritikë” dhe rekomandime të aplikueshme.

B) Rast studimi

Studim rasti në 1 institucion publik, ose krahasim i lehtë mes 1–2 institucioneve (para/pas një nisme dixhitalizimi).
Pyetësor i shkurtër për stafin mbi kulturën e riskut + 4–6 intervista me drejtues/audit të brendshëm.
Indikatorë praktikë: kohë shërbimi, numër gabimesh/ankesash, transparencë, raste parregullsish, dhe risqe të teknologjisë.

Literatura shkencore që mund të shërbejë direkt për këtë studim:

  • Structured Literature Review mbi kulturën e riskut:

https://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S0263237323000245

  • ERM Maturity Model
  • Digitally Induced Change – Public Management Review:

https://www.tandfonline.com/doi/pdf/10.1080/14719037.2023.2234917

  • Okoli & Pawlowski (2004) – Delphi Method:

https://doi.org/10.1016/j.im.2003.11.002

Suksese

Bazuar në analizën e realizuar, rezulton se politikat publike në fushën e mirëqenies kanë bërë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një kuadri ligjor dhe institucional funksional. Megjithatë, proceset në zhvillim kërkojnë përmirësime të vazhdueshme për të garantuar efikasitet, transparencë dhe qëndrueshmëri në zbatim.

Në përgjithësi, sfidat lidhen me nevojën për një bashkërendim më të fortë ndërinstitucional, forcimin e kapaciteteve administrative dhe integrimin më të thellë të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në politikat dhe praktikat publike. Përmirësimi i mekanizmave të monitorimit, si dhe përdorimi i sistemeve digjitale për administrimin dhe ndjekjen e programeve, do të kontribuonin në një zbatim më të barabartë dhe më efektiv në të gjithë territorin.

Në këtë kuadër, një pyetje orientuese për reflektim mund të jetë:

Si mund të forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përdorimi i teknologjisë për të rritur transparencën, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e politikave publike?

Mendoj se shpesh e bëjmë debatin për zhvillimin e qëndrueshëm shumë teorik, duke u fokusuar tek mungesa e fondeve apo mungesa e kulturës së riskut, ndërkohë që problemi real është më praktik: kemi shumë projekte, strategji dhe ide, por kemi vështirësi t’i kthejmë në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

Në këtë kuptim, kultura e riskut është shumë e rëndësishme, sepse ajo ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si merren vendimet dhe si planifikohen veprimet. Kur mungon kjo kulturë, institucionet priren të reagojnë ndaj problemeve, në vend që t’i parashikojnë, dhe kjo bën që shumë politika të funksionojnë vetëm për një periudhë të shkurtër.

Një problem tjetër që shihet shpesh në praktikë është mbingarkesa e njerëzve. Shumë projekte kërkojnë përkushtim të madh dhe ndjekje të vazhdueshme, por zakonisht të njëjtit persona përfshihen në shumë projekte njëkohësisht. Kjo sjell lodhje, ulje të cilësisë dhe shpesh e kthen zbatimin në një proces formal raportimi, jo në ndryshim real.

Edhe dixhitalizimi, që shumë herë shihet si zgjidhje magjike, nuk e zgjidh automatikisht problemin. Nëse proceset janë të dobëta, thjesht po i kalojmë në online. Kjo krijon iluzionin e progresit, por jo domosdoshmërisht progres të vërtetë.

Prandaj, sfida kryesore nuk është sa shpejt digjitalizojmë, por si i rishikojmë proceset, si investojmë në njerëz dhe si ndërtojmë një mënyrë më të mirë vendimmarrjeje. Vetëm kështu dixhitalizimi mund të sjellë ndryshim real, dhe jo thjesht fasadë.

Ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është:
a po mundohemi realisht të përmirësojmë mënyrën si funksionojnë institucionet, apo thjesht po mundohemi t’i dukemi më modern?